6 hadithe të publikuara

Sahih Muslim · 385Sahih

“Kur myezini thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber!" dhe ai që e dëgjon e përsërit: "Allahu ekber, Allahu ekber

Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur myezini thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber!" dhe ai që e dëgjon e përsërit: "Allahu ekber, Allahu ekber"; pastaj, kur ai thotë: "Eshhedu en la ilahe il-lallah", ky thotë: "Eshhedu en la ilahe il-lallah"; kur thotë: "Eshhedu enne Muhammeden resulullah", ky thotë: "Eshhedu enne Muhammeden resulullah"; kur thotë: "Haje ales-salah", ky thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah"; kur thotë: "Haje alel-felah", ky thotë: "La havle ve la kuvete ila bilah"; kur thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber", ky thotë: "Allahu ekber, Allahu ekber", dhe, kur thotë: "La ilahe il-lallah", ky thotë: "La ilahe il-lallah", nga zemra e tij, do të hyjë në Xhenet.”

Sahih Muslim · 1907Sahih

Veprat vlerësohen sipas nijeteve dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet. Andaj, atij që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i vlerësohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë grua, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas nijetit të tij.” Ndërkaq, në një version të Buhariut, qëndron: "Veprat vlerësohen sipas nijeteve dhe njeriut i takon ajo që e ka bërë nijet."

Sahih Muslim · 1646Sahih

“Allahu i Lartmadhëruar ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj.” Omeri shton: "Për Allahun, qëkurse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke e ndaluar atë, as vetë nuk jam betuar (në prindër) e as e kam cituar betimin e tjetërkujt (në prindër)."

Sahih Muslim · 8Sahih

Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi

Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Profetit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, sepse vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është." Më trego për ihsanin (përsosurinë e adhurimit).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: “(Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili dhe erdhi për t’jua mësuar fenë.”

Sahih al-Bukhari · 3445Sahih

“Mos më shenjtëroni siç e kanë shenjtëruar të krishterët të birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: "Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”

Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "E kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Mos më shenjtëroni siç e kanë shenjtëruar të krishterët të birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: "Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”