Ebu Dherri
5 hadithe të publikuara
“A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Kështu, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka, urdhri për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka dhe marrëdhënia intime (me gratë tuaja) është sadaka.”
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa shokë të Profetit ﷺ i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit i morën shpërblimet: ata falen ashtu siç falemi ne, agjërojnë ashtu siç agjërojmë ne dhe japin prej pasurisë që u tepron (e ne s'kemi për të dhënë). Atëherë Profeti ﷺ u tha: “A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Kështu, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka, urdhri për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka dhe marrëdhënia intime (me gratë tuaja) është sadaka.” - O i Dërguari i Allahut, a ndodh që të shpërblehemi edhe kur përmbushim epshin tonë? - thanë ata. - “Sikur dikush ta bënte në haram, a do të kishte mëkat? Rrjedhimisht, kur ta bëjë në hallall, do të ketë shpërblim”, - tha Profeti ﷺ.”
Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se enët e tij janë më shumë se të gjitha yjet dhe planetët e qiellit
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Thashë: "O i Dërguari i Allahut, si janë enët e Hauzit tënd?" Profeti ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se enët e tij janë më shumë se të gjitha yjet dhe planetët e qiellit që shihen në një natë të errët pa re. Sa u përket enëve të Xhenetit, ai që pi prej tyre s'do të ndiejë më kurrë etje pas kësaj, e aty (në Hauz) derdhen dy gryka nga Xheneti. Ai që pi prej tij, nuk ndien më etje. Gjerësia e tij dhe gjatësia janë sa distanca mes qytetit të Amanit dhe Ejles. Uji i tij është më i bardhë se qumështi e më i ëmbël se mjalti.”
“Nuk ndodh që dikush ta etiketojë tjetrin si mëkatar e as ta etiketojë me kufër, e kjo të mos i kthehet vetë atij, nëse i etiketuari nuk është i tillë.”
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Nuk ndodh që dikush ta etiketojë tjetrin si mëkatar e as ta etiketojë me kufër, e kjo të mos i kthehet vetë atij, nëse i etiketuari nuk është i tillë.”
Assesi mos nënvlerëso asnjë gjë, edhe po e takove vëllanë tënd me fytyrë të buzëqeshur
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "Profeti ﷺ më ka thënë: "Assesi mos nënvlerëso asnjë gjë, edhe po e takove vëllanë tënd me fytyrë të buzëqeshur."
O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar thotë: "O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t'ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t'ju fal. Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë i jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten."
