22 hadithe të publikuara

Sahih al-Bukhari · 3688Sahih

Një njeri e pyeti Profetin ﷺ për Kiametin, duke thënë: "Kur është Kiameti?" - “Çka ke përgatitur për të?”

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një njeri e pyeti Profetin ﷺ për Kiametin, duke thënë: "Kur është Kiameti?" - “Çka ke përgatitur për të?” - ia ktheu Profeti ﷺ. - Asgjë, përveçse e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, - iu përgjigj ai. - “Ti do të jesh me ata që i do”, - i tha Profeti ﷺ. Enesi vazhdon: "Me asgjë nuk jemi gëzuar më shumë se me fjalën e Profetit ﷺ: “Ti do të jesh me ata që i do.” Unë e dua Profetin ﷺ, Ebu Bekrin e Omerin, andaj shpresoj të jem me ta, në saje të dashurisë sime ndaj tyre, edhe pse nuk kam bërë vepra (të mira) sikurse ata."

Sahih al-Bukhari · 128Sahih

Nuk ndodh që një rob të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Muadhi tha: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Muadhi tha tri herë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ tha: “Nuk ndodh që një rob të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit.” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?" Profeti ﷺ tha: “(Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit), atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisin veprat).” Muadhi e tregoi këtë në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte)."

Sahih al-Bukhari · 6557Sahih

“Në Ditën e Kiametit, Allahu i Lartësuar do t'i thotë të dënuarit me dënimin më të lehtë në Zjarr: "Sikur të posedoje gjithçka në Tokë, a do ta flijoje për të shpëtuar nga kjo?" - Po, - përgjigjet ai

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Allahu i Lartësuar do t'i thotë të dënuarit me dënimin më të lehtë në Zjarr: "Sikur të posedoje gjithçka në Tokë, a do ta flijoje për të shpëtuar nga kjo?" - Po, - përgjigjet ai. Allahu ia kthen: "Teksa ishe në palcën e Ademit, të kërkova diçka edhe më të lehtë se kjo: të mos më bëje ortak (shirk). Por, ti nuk doje ndryshe, përveçse të më bëje ortak.”

Sahih al-Bukhari · 16Sahih

Ëmbëlsia e besimit

Fragment nga hadithi

Kush i ka këto tri cilësi, e gjen ëmbëlsinë e besimit: Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se gjithçka tjetër; ta dojë një njeri vetëm për hir të Allahut; dhe ta urrejë kthimin në mosbesim ashtu siç e urren të hidhet në zjarr.