22 hadithe të publikuara

Sahih Muslim · 2833Sahih

“Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte. Aty fryn një erë nga Veriu, e cila përfshin fytyrat dhe rrobat e tyre dhe, rrjedhimisht, u shtohet bukuria e hijeshia. E, kur të kthehen te familjet e veta, ndërkohë që u është shtuar bukuria e hijeshia, familjet do t'u thonë: “Pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, juve ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.” Ata do t'ua kthejnë: “Edhe juve, pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.”

Sahih Muslim · 2359Sahih

“M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi kuptoi diçka për shokët e tij, mbajti një fjalim dhe tha: “M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Enesi vazhdoi: “Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ s'kishin përjetuar ndonjëherë ditë më të vështirë se kjo, saqë i mbuluan kokat dhe dënesnin me gulçim. Atëherë Omeri u ngrit dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber!” Një burrë i pranishëm u ngrit dhe pyeti: “Cili është babai im?” Profeti ﷺ i tha: “Baba e ke filanin.” Pas kësaj zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos pyetni (pa nevojë) për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin.” (El Maide, 101)

Sahih al-Bukhari · 3613Sahih

Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Profeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi, andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të." Kështu, shkoi tek ai, të cilin e gjeti kokulur në shtëpi, andaj e pyeti: "Çfarë ke?" Ai iu përgjigj: "Vetëm sherr." Pastaj tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Profetit ﷺ, gjë për të cilën i janë shkatërruar veprat, prandaj është bërë banor i Zjarrit. Lajmëtari shkoi te Profeti ﷺ dhe i tregoi se ai paska thënë kështu e kështu. Pastaj (lajmëtari) u kthye sërish (te Thabiti) me një përgëzim të madh dhe i tha se Profeti ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”

Sahih al-Bukhari · 63Sahih

Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një ditë rrinim ulur me Profetin ﷺ në xhami, hyri një burrë hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua njeriu. - “Urdhëro”, - tha Profeti ﷺ. - Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro. - “Pyet çfarë të duash”, - i tha Profeti ﷺ. Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit? Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!” - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” - Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai. “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit."

Sahih al-Bukhari · 5231Sahih

“Disa prej shenjave të Kiametit janë: pakësimi i diturisë, përhapja e injorancës, përhapja e zinasë, përhapja e konsumimit të alkoolit, pakësimi i numrit të meshkujve dhe rritja e numrit të femrave, aq shumë, saqë pesëdhjetë femra do të kenë vetëm një mbikëqyrës.”

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Do t'ju transmetoj një hadith që e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin s'do t'jua tregojë askush pos meje. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Disa prej shenjave të Kiametit janë: pakësimi i diturisë, përhapja e injorancës, përhapja e zinasë, përhapja e konsumimit të alkoolit, pakësimi i numrit të meshkujve dhe rritja e numrit të femrave, aq shumë, saqë pesëdhjetë femra do të kenë vetëm një mbikëqyrës.”

Sahih Muslim · 2808Sahih

“Allahu nuk i pakëson besimtarit asnjë vepër të mirë: për to i jep të mira në këtë botë dhe e shpërblen në botën tjetër

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu nuk i pakëson besimtarit asnjë vepër të mirë: për to i jep të mira në këtë botë dhe e shpërblen në botën tjetër, kurse jobesimtarit për të mirat që i ka bërë për hir të Allahut, i jepen të mira në këtë botë, e, kur kalon në botën tjetër, nuk do të ketë asnjë të mirë që të shpërblehet për të.”

Sahih Muslim · 2224Sahih

Nuk ka sëmundje ngjitëse e as ogur të zi, mirëpo mua më pëlqen optimizmi (ndjellja e së mirës)" Dikush i tha: Çfarë është optimizmi (ndjellja e së mirës)? Ai tha: "Fjala e mirë!

Nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk ka sëmundje ngjitëse e as ogur të zi, mirëpo mua më pëlqen optimizmi (ndjellja e së mirës)" Dikush i tha: Çfarë është optimizmi (ndjellja e së mirës)? Ai tha: "Fjala e mirë!"