165 hadithe të publikuara

Sahih Muslim · 2833Sahih

“Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte. Aty fryn një erë nga Veriu, e cila përfshin fytyrat dhe rrobat e tyre dhe, rrjedhimisht, u shtohet bukuria e hijeshia. E, kur të kthehen te familjet e veta, ndërkohë që u është shtuar bukuria e hijeshia, familjet do t'u thonë: “Pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, juve ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.” Ata do t'ua kthejnë: “Edhe juve, pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.”

Sahih Muslim · 1914Sahih

“Teksa një njeri po ecte nëpër një rrugë, hasi në një degë me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu në shenjë mirënjohje për këtë, ia fali mëkatet.”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një njeri po ecte nëpër një rrugë, hasi në një degë me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu në shenjë mirënjohje për këtë, ia fali mëkatet.”

Sahih Muslim · 2359Sahih

“M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi kuptoi diçka për shokët e tij, mbajti një fjalim dhe tha: “M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Enesi vazhdoi: “Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ s'kishin përjetuar ndonjëherë ditë më të vështirë se kjo, saqë i mbuluan kokat dhe dënesnin me gulçim. Atëherë Omeri u ngrit dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber!” Një burrë i pranishëm u ngrit dhe pyeti: “Cili është babai im?” Profeti ﷺ i tha: “Baba e ke filanin.” Pas kësaj zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos pyetni (pa nevojë) për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin.” (El Maide, 101)

Sahih Muslim · 2066Sahih

“I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra dhe na ka ndaluar shtatë të tjera

Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra dhe na ka ndaluar shtatë të tjera. Na ka urdhëruar ta vizitojmë të sëmurin, ta përcjellim xhenazen, të lutemi për atë që teshtin, t’ia përmbushim betimin ose kërkesën e atij që na është betuar, t’i dalim në ndihmë të shtypurit, t’i përgjigjemi ftesës dhe ta përhapim selamin. Ndërkaq, na ka ndaluar unazën e arit (ose ka thënë: rrethin e arit), pirjen në enë argjendi, nga shalat dhe shtrojat e mëndafshta, veshjet e mëndafshta, si dhe nga veshja e armaçit, mëndafshit (të zakonshëm), dhe mëndafshit të vrazhdë (istebrak).”

Sahih Muslim · 1735Sahih

“Ditën e Kiametit, kur Allahu do t'i tubojë të parët e të fundit, çdo tradhtari do t'i ngrihet një flamur dhe do të thuhet për të: “Kjo është tradhtia e filanit, të birit të filanit!”

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, kur Allahu do t'i tubojë të parët e të fundit, çdo tradhtari do t'i ngrihet një flamur dhe do të thuhet për të: “Kjo është tradhtia e filanit, të birit të filanit!”

Sahih Muslim · 144Sahih

“Fitnet do t'u paraqiten zemrave sikurse thuprat e hasrës, njëra pas tjetrës

Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrinim me Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur pyeti: “Cili nga ju e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të përmendë fitnet (trazirat)?” - Ne e kemi dëgjuar, - thanë disa. - Ndoshta keni për qëllim fitnen e njeriut në familje dhe në fqinjët e tij? - u tha Omeri. - Po, - thanë ata. - Ato i shlyen namazi, agjërimi dhe lëmosha, - tha Omeri, - por, cili nga ju e ka dëgjuar Profetin ﷺ t'i përmendë fitnet që do të vijnë sikurse dallgët e detit? Njerëzit heshtën. Unë thashë: “Unë”, e në atë rast Omeri më tha: “Ti pra. Lum babai që të ka!” Hudhejfe vazhdon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Fitnet do t'u paraqiten zemrave sikurse thuprat e hasrës, njëra pas tjetrës. Çdo zemre që i përpin ato, i shtohet një pikë e zezë, ndërsa çdo zemre që i refuzon ato, i shtohet një pikë e bardhë, derisa të bëhen dy lloje zemrash: njëra e bardhë sikurse guri i lëmueshëm, të cilën nuk e dëmton asnjë fitne, për aq sa të ekzistojnë qiejt dhe Toka; ndërsa tjetra e zezë sterrë, sikurse kupa e përmbysur, e cila nuk njeh të mirën e as refuzon të keqen, përveç nëse përputhet me epshin e saj.” Hudhejfe thotë: “I pata thënë se mes teje dhe kësaj fitneje është një derë e mbyllur në prag të thyerjes.” Omeri më pati thënë: “Vallë, do të thyhet, mos të pastë babai?! Se, po qe se vetëm do të hapej, do të kishte shpresë se prapë do të mbyllej.” I thashë: “Jo, do të thyhet.” Po ashtu, i tregova se ajo derë është një burrë që do të vritet ose do të vdesë. I rrëfeva hadith që nuk përmban gabime. Ebu Halidi thotë: “E pyeta Sadin: “O Ebu Malik, çfarë nënkupton shprehja “i zi sterrë?" Më tha: “Sikurse të bardhët (e theksuar) në diç të zezë.” I thashë: “Po “kupa e përmbysur”?” Më tha: “E kthyer mbrapsht.”

Sahih Muslim · 2980Sahih

“Mos hyni në vendbanimet e atyre që i kanë bërë zullum vetes (gjë për të cilën u dënuan), përveçse duke qarë

Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kaluam me të Dërguarin e Allahut ﷺ nga Hixhri (vendbanimi i themudëve) dhe në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ na tha: “Mos hyni në vendbanimet e atyre që i kanë bërë zullum vetes (gjë për të cilën u dënuan), përveçse duke qarë, nga droja që të mos ju godasë ajo që i ka goditur ata.” Pastaj i mësyu kafshës dhe shpejtoi, derisa e la vendbanimin e tyre pas vetes.”

Sahih Muslim · 1631Sahih

“Kur të vdesë njeriu, i ndërpriten (shpërblimet për) veprat, përveç tri veprave: lëmoshës rrjedhëse, dijes prej së cilës kanë dobi (njerëzit) dhe fëmijës së mirë që lutet për të.”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të vdesë njeriu, i ndërpriten (shpërblimet për) veprat, përveç tri veprave: lëmoshës rrjedhëse, dijes prej së cilës kanë dobi (njerëzit) dhe fëmijës së mirë që lutet për të.”

Sahih Muslim · 713Sahih

“Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të thotë: "Allahummeftah li ebvabe rahmetik (O Allah, m'i hap mua dyert e Mëshirës Sate)!" E, kur të dalë, le të thotë: "Allahumme inni eseluke min fadlike (O Allah, unë kërkoj nga Ti begatitë e Tua).”

Ebu Humejdi ose Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të thotë: "Allahummeftah li ebvabe rahmetik (O Allah, m'i hap mua dyert e Mëshirës Sate)!" E, kur të dalë, le të thotë: "Allahumme inni eseluke min fadlike (O Allah, unë kërkoj nga Ti begatitë e Tua).”

Sahih Muslim · 810Sahih

O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - më pyeti sërish. - “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El Bekare, 255) - i thashë. Atëherë me goditi në gjoks dhe më tha: “Për Allahun, e gëzofsh dijen, o Ebu Mundhir!”

Ubej ibën Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë. - “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - më pyeti sërish. - “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El Bekare, 255) - i thashë. Atëherë me goditi në gjoks dhe më tha: “Për Allahun, e gëzofsh dijen, o Ebu Mundhir!”