174 hadithe të publikuara

Sahih al-Bukhari · 63Sahih

Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit

Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një ditë rrinim ulur me Profetin ﷺ në xhami, hyri një burrë hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua njeriu. - “Urdhëro”, - tha Profeti ﷺ. - Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro. - “Pyet çfarë të duash”, - i tha Profeti ﷺ. Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit? Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!” - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” - Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai. “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit."

Sahih al-Bukhari · 7454Sahih

se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte më i vërteti, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, dhe thoshte: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë e dyzet net

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte më i vërteti, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, dhe thoshte: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë e dyzet net, pastaj, për po aq ditë shndërrohet në droçkë gjaku, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, atij i dërgohet një melek i urdhëruar me katër gjëra: të shkruajë furnizimin e tij, jetëgjatësinë, veprën, si dhe nëse do të jetë fatzi ose i lumtur (në botën tjetër). Më pas, i fryhet shpirti. Prej jush ka të atillë që, bën vepra të xhenetlinjve, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por, ja që vjen në shprehje ajo që i është shkruar, kështu që punon vepra të banorëve të Zjarrit, rrjedhimisht hyn në të, dhe anasjelltas, ka të atillë që bën vepra të xhehenemlinjve, saqë mes tij dhe Zjarrit s’ka më shumë se një kut, por, ja që vjen në shprehje caktimi që i është ndarë, ndaj bën punë të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të."

Sahih al-Bukhari · 4730Sahih

“Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman dhe dikush do të thërrasë: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin kokat për të shikuar. Thirrësi pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Pastaj thërret: "O banorë të Zjarrit!" Ata i zgjasin kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Në atë rast ajo theret dhe thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Këta, që përshkruhen se janë të shkujdesur, janë njerëzit që jepen pas dynjasë.

Sahih al-Bukhari · 5361Sahih

A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni: Subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni: Elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni: Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më mirë për ju sesa një shërbëtor.”

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e dorës nga mulliri dhe mori vesh se Profetit ﷺ i kishin sjellë një rob. Kështu, ajo shkoi t'i kërkonte një shërbëtor, por, pasi nuk e gjeti aty, ia përmendi Aishes. Kur Profeti ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi. Pastaj Profeti ﷺ erdhi te ne, ndërkohë që ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të çohemi, po ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua dhe u ul mes meje e saj, saqë ndjeva të ftohtët e këmbëve të tij në barkun tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni: Subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni: Elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni: Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më mirë për ju sesa një shërbëtor.”

Sahih al-Bukhari · 6416Sahih

“Jeto në dynja sikurse të jesh i huaj a kalimtar.”

Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ më kapi për supi dhe më tha: “Jeto në dynja sikurse të jesh i huaj a kalimtar.” Ndërkaq, Ibën Umeri thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin dhe kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzoje shëndetin para se të sëmuresh dhe shfrytëzoje jetën para se të të vijë vdekja.”

Sahih al-Bukhari · 6232Sahih

Ai që është në mjet i jep selam atij që është në këmbë. Ai që është në këmbë i jep selam atij që është ulur. Ata që janë pak i japin selam atyre që janë shumë

Nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ai që është në mjet i jep selam atij që është në këmbë. Ai që është në këmbë i jep selam atij që është ulur. Ata që janë pak i japin selam atyre që janë shumë." Sipas një versioni të Buhariut thuhet: "I vogli i jep selam të madhit. Kalimtari i jep të ulurit. Ata që janë pak i japin atyre që janë shumë."

Sahih al-Bukhari · 1465Sahih

“Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.”

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë Profeti ﷺ u ul në minber, kurse ne përreth tij, e në atë rast tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.” Njëri tha: “O i Dërguari i Allahut, e mira a mund ta sjellë të keqen?” Profeti ﷺ heshti, e atij (pyetësit) i thanë: “Ç'është puna jote, po i flet Profetit ﷺ, e ai nuk po ta kthen?” Pastaj vërejtëm se Profetit ﷺ po i zbriste shpallja. Pasi përfundoi, i fshiu djersët dhe pyeti: “Ku është pyetësi?” U duk sikur po e lavdëronte dhe tha: “E mira nuk e sjell të keqen, (dhënia pas grumbullimit të pasurisë së shumtë dëmton sikundërqë) gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që kullot bar të njomë; ajo ha bar të gjelbër, derisa i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze), bajgos lehtë urinon dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për syrin) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që ia jep nevojtarit, jetimit ose udhëtarit!” - Ose, sido që të ketë thënë Profeti ﷺ: - “Ai që merr pasuri padrejtësisht, është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të bëhet dëshmitare kundër tij.”

Sahih al-Bukhari · 6407Sahih

“Ai që e përmend Zotin dhe ai që nuk e përmend, i shëmbëllen të gjallit dhe të vdekurit.”

Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që e përmend Zotin dhe ai që nuk e përmend, i shëmbëllen të gjallit dhe të vdekurit.” Në versionin e Muslimit qëndron: “Shtëpia, në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpia, në të cilën nuk përmendet Allahu, i shëmbëllen të gjallit dhe të vdekurit.”

Sahih al-Bukhari · 6069Sahih

I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që i publikojnë mëkatet e tyre!

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që i publikojnë mëkatet e tyre!" Një formë e publikimit të mëkatit është që njeriu të bëjë një mëkat natën, dhe ndërkohë që Allahu e ka mbuluar ai gdhihet dhe thotë: 'O filan, mbrëmë natën bëra këtë e atë (mëkat)'. E ndërkohë që Zoti i tij e kishte mbuluar atë gjatë natës, ai gdhihet dhe e heq mbulesën e Allahut nga vetja!'"