174 hadithe të publikuara

Sahih al-Bukhari · 4712Sahih

Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pak mish dhe i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. Ai e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse?! Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi. Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot, Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra.”

Sahih al-Bukhari · 4351Sahih

“A nuk po më besoni, ndërkohë unë jam besniku i Atij që është mbi qiell? Mua më vjen lajmi nga qielli, mëngjes e mbrëmje.”

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ali ibn Ebu Talibi, i dërgoi të Dërguarit të Allahut ﷺ pak ar të papërpunuar, prej Jemenit, në një trastë prej lëkure të regjur. Profeti ﷺ ua ndau katër personave: Ujejne ibn Bedrit, Akra ibn Habisit dhe Zejd Hajlit, ndërsa i katërti ishte ose Alkame, ose Amir ibn Tufejli. Një burrë nga shokët e tij tha: “Ne jemi më meritorë për këtë sesa ata.” Profeti ﷺ dëgjoi për këto fjalë dhe tha: “A nuk po më besoni, ndërkohë unë jam besniku i Atij që është mbi qiell? Mua më vjen lajmi nga qielli, mëngjes e mbrëmje.” Një njeri me sy të futur, me mollëza e ballë të dalë, mjekërdendur dhe flokërruar, me rrobë të poshtme të përvjelë, u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kije frikë Allahun!” Profeti ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! A nuk jam më meritori nga banorët e Tokës që ta kem frikë Allahun?” Pasi që shkoi personi në fjalë, Halid ibn Velidi, tha: "O i Dërguari i Allahut, a t'ia pres kokën?" - “Jo, se ndoshta falet”, - tha Profeti ﷺ. - Sa e sa falës të namazit thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemër! - tha Halidi. - “Unë nuk jam urdhëruar t'i hap (t'i hulumtoj) zemrat e njerëzve e as t'i çaj barqet e tyre”, - tha Profeti ﷺ. Pastaj, e shikoi atë duke shkuar dhe shtoi: “Nga pasardhësit e këtij do të vijnë njerëz që e lexojnë Librin e Allahut vazhdimisht, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fyteve të tyre. Dalin prej fesë (Islamit) ashtu siç del shigjeta anë e tej gjahut.” Më duket se ka thënë: “Nëse i arrij ata, do t'i vrisja sikurse është vrarë, shfarosur populli i Themudit.”

Sahih al-Bukhari · 1296Sahih

Ai është distancuar nga vajtuesja, nga ajo që i rruan flokët (në raste fatkeqësish) dhe nga ajo që i shqyen rrobat.”

Ebu Burde ibn Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Musai u sëmur rëndë, e në atë rast i ra të fikët, ndërsa kokën e kishte në prehrin e njërës prej grave të tij. Nuk mund të kundërshtonte asgjë (kur ajo qante), e, kur u këndell, tha: “Unë distancohem prej asaj që është distancuar edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai është distancuar nga vajtuesja, nga ajo që i rruan flokët (në raste fatkeqësish) dhe nga ajo që i shqyen rrobat.”

Sahih al-Bukhari · 1314Sahih

“Kur të vendoset xhenazja (në tabut) dhe burrat ta bartin mbi supe, nëse ka qenë vepërmirë, thotë: “Ngutuni (për të më dërguar në varr)

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të vendoset xhenazja (në tabut) dhe burrat ta bartin mbi supe, nëse ka qenë vepërmirë, thotë: “Ngutuni (për të më dërguar në varr)." E, nëse nuk ka qenë i tillë, thotë: “Mjerë unë, ku po më dërgoni!" Çdo gjë e dëgjon zërin e tij, përveç njeriut, i cili, sikur ta dëgjonte, do të alivanosej.”

Sahih al-Bukhari · 3611Sahih

“Para Kiametit do të paraqiten një grup njerëzish axhami e mendjelehtë, flasin fjalët më të mira ndër njerëz, por dalin nga feja ashtu siç del shigjeta nga harku

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ju tregoj diçka nga i Dërguari i Allahut ﷺ, për mua është më e dashur të bie nga qielli (në tokë) sesa të gënjej për të. Ndërkaq, kur bisedojmë mes vete, dijeni se lufta është dinakëri. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Para Kiametit do të paraqiten një grup njerëzish axhami e mendjelehtë, flasin fjalët më të mira ndër njerëz, por dalin nga feja ashtu siç del shigjeta nga harku. Imani i tyre nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Kudo që t'i takoni (gjatë luftimit), vritini, sepse Ditën e Kiametit vrasësi shpërblehet për vrasjen e tyre.”

Sahih al-Bukhari · 3613Sahih

Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Profeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi, andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të." Kështu, shkoi tek ai, të cilin e gjeti kokulur në shtëpi, andaj e pyeti: "Çfarë ke?" Ai iu përgjigj: "Vetëm sherr." Pastaj tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Profetit ﷺ, gjë për të cilën i janë shkatërruar veprat, prandaj është bërë banor i Zjarrit. Lajmëtari shkoi te Profeti ﷺ dhe i tregoi se ai paska thënë kështu e kështu. Pastaj (lajmëtari) u kthye sërish (te Thabiti) me një përgëzim të madh dhe i tha se Profeti ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”

Sahih al-Bukhari · 4810Sahih

Ajo që ti e thua dhe në të cilën thërret është gjë e mirë. Sikur të na tregoje se a ka shpagim për veprat tona!

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon: "Disa idhujtarë, të cilët e kishin tepruar me vrasje e zina, shkuan te Muhamedi ﷺ dhe i thanë: "Ajo që ti e thua dhe në të cilën thërret është gjë e mirë. Sikur të na tregoje se a ka shpagim për veprat tona!" Atëherë zbriti ajeti: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë zina.” (El Furkan, 68) Po ashtu, zbriti ajeti: “Thuaj: "O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut.” (Ez Zumer, 53)

Sahih al-Bukhari · 6523Sahih

A nuk ka mundësi që, Ai që e ka bërë të ecë me dy këmbë në këtë botë, ta bëjë të ecë me fytyrë në Ditën e Kiametit?!

Katadja (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se një njeri pyeti: - O i Dërguari i Allahut, si ndodh që jobesimtari të ringjallet (duke ecur) me fytyrën e tij? - “A nuk ka mundësi që, Ai që e ka bërë të ecë me dy këmbë në këtë botë, ta bëjë të ecë me fytyrë në Ditën e Kiametit?!” - tha Profeti ﷺ. Katadja shtoi: "Ashtu është, pasha krenarinë e Zotit tonë!"

Sahih al-Bukhari · 4485Sahih

Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni, por: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin)...”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Ithtarët e Librit e lexonin Tevratin hebraisht dhe ua komentonin muslimanëve në arabisht." I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni, por: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin)...” (El Bekare, 136)